Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, znj. Mimoza Halimi, zhvilloi një vizitë pune në qytetin e Poznań-it, në Rajonin e Wielkopolskës, ku u takua me përfaqësues të autoriteteve rajonale e lokale, institucioneve akademike dhe organizatave kulturore.
Një moment i veçantë i vizitës ishte ndalesa në Universitetin Adam Mickiewicz (UAM), ku Ambasadorja Halimi u takua me Rektoren, Prof. Bogumiła Kaniewska, njëherazi Kryetare e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve në Poloni, me Zëvendës-Rektorin, Prof. Rafał Witkowski dhe Drejtorin e Studimeve Nder-Disiplinare, Prof. Rafał Dymczyk. Gjatë takimit u shkëmbyen ide mbi forcimin e bashkëpunimit mes Universitetit të Tiranës dhe UAM, si dhe përfshirjen në projekte të përbashkëta në kuadër të programeve evropiane të arsimit dhe kërkimit.
Ambasadorja vizitoi gjithashtu Fakultetin e Filologjisë Polake dhe Klasike ku u takua me Zëvendës-Dekanin, Prof. Konrad Dominas, dhe bashkëpunëtorët e tij. Diskutimet u përqendruan në mundësitë për bashkëpunim mes fakulteteve filologjike dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqipe.
Vizita përfundoi me një takim në Muzeun Kombëtar të Poznań-it, ku Ambasadorja u takua me Drejtorin, z. Tomasz Łęcki, Prof. Joanna Minksztym dhe Dr. Maria Gołąb. Palët diskutuan mundësinë e vendosjes së një bashkëpunimi institucional ndërmuzeal dhe organizimin e një aktiviteti kulturor kushtuar Shqipërisë, në kuadër të javës kulturore në muajin nëntor.
Kjo vizitë përfaqëson një hap konkret drejt thellimit të marrëdhënieve shqiptaro-polake në nivel rajonal, duke promovuar lidhje të reja institucionale në fusha me interes të ndërsjellë.