Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, znj. Mimoza Halimi , së bashku me Sekretarin e Parë të Ambasadës, z. Shkëlzen Macukulli, morën pjesë si të ftuar nderi në ceremoninë e dorëzimit të grantit të miratuar nga Sejmiku i Rajonit të Mazovisë për Komunën Belsk Duży në kuadër të programit “Mazowsze për monumentet”, që mbështet restaurimin e 21 monumenteve historike në këtë rajon.
Granti në vlerën prej 55 000 PLN (rreth 13 000 euro) iu dorëzua Kryetarit të Komunës Belsk Duży, z. Władysław Piątkowski, nga Zëvendës Marshalli i Rajonit të Mazovisë, z. Rafał Rajkowski, në prani të Ambasadores Halimi. Ky grant i dedikohet restaurimit të monumentit të fisnikut polak me prejardhje shqiptare, Antoni Łukasz Crutta (1727–1812).
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Muzeut Jacek Malczewski në Radom, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë vendorë dhe institucionalë, përfshirë: drejtorin e muzeut, z. Dawid Ruszczyk; këshilltarin e Vojvodës, z. Leszek Ruszczyk; drejtoreshën e delegacionit, znj. Magdalena Nowacka; menaxherin e delegacionit të Konservatorit të Monumenteve të Vojvodës së Mazovisë, z. Witold Bujakowski; dhe priftin-konservator të monumenteve dioqezane, Atë Michał Krawczyk.
Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Ambasadorja Halimi falenderoi Zyrën e Marshallit të Rajonit të Mazovisë, të udhëhequr nga Marszałek Adam Struzik, për vëmendjen e treguar ndaj figurës së Antoni Łukasz Crutta-s – një simbol i miqësisë historike shqiptaro-polake. Crutta shërbeu me përkushtim si diplomat dhe përkthyes i gjuhëve orientale në oborrin e Mbretit Stanisław August Poniatowski, duke dhënë një kontribut të çmuar në jetën publike dhe diplomatike të Republikës së Polonisë.
Ambasadorja shprehu gjithashtu vlerësimin dhe mirënjohjen e thelle për banorët e Lewiczyn, të cilët prej gati dy shekujsh janë kujdesur me respekt për monumentin e tij, që ndodhet në varrezat e kishës së fshatit. Sot, kur koha ka lënë gjurmët e saj mbi këtë monument, ndihma bujare e institucioneve polake do të mundësojë një restaurim të plotë, duke ruajtur kështu këtë vend të kujtesës si një pikë nderimi, reflektimi dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Poloni ndjehet e nderuar që, në bashkëpunim me Shoqatën Poloni-Shqipëri (nën drejtimin e znj. Dorota Horodyska), mbështeti Komunën Belsk Duży në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë, që nderon trashëgiminë e përbashkët historike mes dy vendeve tona mike.
Pas ceremonisë, delegacioni shqiptar, i shoqëruar nga këshilltari i Vojvodës, z. Ruszczyk, zëvendësdrejtori i muzeut, z. Paweł Janus dhe përfaqësuesja e Departamentit të Arsimit, znj. Ilona Pulnar-Duszyk, pati kënaqësinë të vizitojë ekspozitën e veprave të piktorit të shquar Jacek Malczewski, si dhe ekspozitën e përhershme të Muzeut të Historisë së Radomit.