Trishtim, dhimbje, qëndresë, heroizëm, besim dhe angazhim që Holokausti të mos përsëritet më kurrë. Këto ishin mesazhet që u përcollën nga të mbijetuarit e kampit nazist të përqendrimit dhe shfarosjes në Aushvic, gjatë ceremonisë përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të tij, më 27 janar 2025.
Republika e Shqipërisë është krenare për kontributin, guximin dhe sakrificat e popullit shqiptar për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerri çnjerëzor nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë të errët, Shqipëria u bë një shtëpi e dytë për hebrenjtë, ndërsa sot përfaqëson një model të respektuar ndërkombëtarisht për mbrojtjen dhe humanizmin ndaj tyre.
Në këto ceremoni përkujtimore morën pjesë edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Igli Hasani, si dhe Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Polonisë, znj. Mimoza Halimi. Pjesëmarrja e tyre ishte një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për të nderuar kujtesën historike dhe për të mbrojtur të vërtetën e Holokaustit, në mënyrë që e kaluara të mos përsëritet kurrë më.