Më 12-13 mars 2025, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Poloni, Mimoza Halimi, mori pjesë në Kongresin e 5-të të Qeverisjes Vendore dhe Forumin Ekonomik të Iniciativës së Tre Deteve (3SI), i cili u zhvillua nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Polonisë, z. Andrzej Duda. Presidenti Duda përshëndeti këtë event të rëndësishëm, që mblodhi 1500 të ftuar nga 29 vende.
Ambasadorja Halimi ishte e ftuar si paneliste në sesionin hapës të Kongresit, me temë: “Iniciativa e Tre Deteve – Përmbledhja e 10-vjetorit dhe e ardhmja e saj”. Në fjalën e saj, ajo vuri në dukje rëndësinë e kësaj nisme për vendet kandidate për anëtarësim në BE, duke theksuar se 3SI përbëhet nga 13 vende anëtare të BE-së, të cilat janë mbështetëse të forta të procesit të zgjerimit të Unionit.
Ambasadorja Halimi theksoi se Shqipëria ka paraqitur kërkesën për të marrë statusin e vendit partner të asociuar në këtë nismë dhe kërkoi mbështetjen e vendeve pjesëmarrëse. Ajo nënvizoi se 3SI ofron përfitime të rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike, të cilat përputhen me objektivat e modernizimit të Shqipërisë dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE.
“Pjesëmarrja në projektet e 3SI, si hekurudhat, autostradat dhe korridoret e energjisë, do të ndihmojë në forcimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e bashkëpunimit strategjik. Kjo do të na integrojë më efektivisht në tregun e përbashkët evropian dhe do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE”, u shpreh Ambasadorja Halimi.