Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Mimoza Halimi, po zhvillon një vizitë pune në Rajonin Pomerania, Poloni. Gjatë vizitës në qytetin e Gdynia, Ambasadorja Halimi u prit në një takim nga Zëvendës Presidenti i qytetit të Gdynia, z. Bartłomiej Austen. Znj. Halimi zhvilloi gjithashtu takime me Zëvendës Presidenten e Portit të Gdynia, znj. Katarzyna Gruszecka-Spychała.
Bisedimet u fokusuan në zhvillimin e infrastrukturës portuale në Shqipëri, kryesisht në Durrës dhe Vlorë, si dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e modernizimit, shkëmbimin e eksperiencës përmes vizitave studimore dhe pjesëmarrjes në projekte të përbashkëta evropiane.
Programi përfshinte gjithashtu takime me Rektorin e Universitetit Detar të Gdynia – Prof. Kapiten Adam Weintrit, si dhe me zv/rektorët, ku u diskutua për bashkëpunimin në fushën e shkencave detare me universitetet e Vlorës dhe Durrësit.
Ambasadorja zhvilloi një vizitë në Bashkinë e qytetit të Sopotit, ku pati kënaqësinë të takohej me Nënkryetarin Michał Banacki, si dhe në Bashkinë e qytetit të Gdańsk, ku u takua me Nënkryetarin Piotr Borawski. Gjithashtu, ajo vizitoi Zyrën e Vojevodës, ku pati mundësinë të bisedonte me znj. Agnieszka Baranowska – Anëtare e Bordit të Rajonit të Pomeranisë, znj. Monika Zdroik – Zëvendësdrejtore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ndërrajonal në Departamentin e Zhvillimit Ekonomik, dhe znj. Katarzyna Matuszak-Dzierżyńska – Drejtoreshë e Departamentit të Zhvillimit të Ndërmarrësisë dhe Zhvillimit të Pomeranisë.
Takimet iu kushtuan eksplorimit të mundësive për të forcuar bashkëpunimin në nivelin e qeverisjes vendore në fusha si turizmi, arsimi profesional, mundësitë për biznes dhe investime, binjakëzimi i qyteteve, kultura dhe më shumë.
Faleminderit për pritjen e ngrohtë dhe bisedat konstruktive!