Ambasadorja e Shqipërisë në Poloni, Mimoza Halimi, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të linjës ajrore çarter Łódź–Tiranë, një zhvillim i rëndësishëm që forcon më tej lidhjet mes dy vendeve tona.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm:
-
Dr. Paweł Michalak, Konsull i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Poloni
-
Maciej Riemer, Këshilltar i Rajonit të Łódź dhe Kryetar i Komitetit të Buxhetit dhe Financave
-
Mateusz Walasek, Përfaqësues i Këshillit të Qytetit Łódź
-
Robert Makowski dhe Katarzyna Dębowska Janik, përfaqësues të lartë të Aeroportit të Łódź
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte performanca e korit të fëmijëve të qytetit Łódź, i cili përshëndeti të ftuarit dhe pasagjerët me këngë shqiptare dhe polake.
Pas Varshavës, Krakovit, Gdanskut, Wroclawit, Katowicës dhe Poznanit, Łódź bëhet qyteti i shtatë në Poloni nga ku mund të fluturohet direkt drejt Tiranës.
Një falënderim i posaçëm iu drejtua Dr. Paweł Michalak, Konsull i Nderit, si dhe Anna Midera, Drejtoreshë e Aeroportit të Łódź, Robert Makowski dhe të gjithë bashkëpunëtorëve që kontribuuan në realizimin e kësaj linje.
Një fluturim që hap horizonte të reja
Kjo linjë e re nuk është vetëm një mjet transporti, por një urë bashkëpunimi, që sjell:
-
rritje të ndjeshme të turizmit mes Shqipërisë dhe Polonisë,
-
shkëmbime kulturore më të ngushta,
-
mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik dhe investime.
Shqipëria, e njohur për trashëgiminë e pasur kulturore, natyrën e paprekur, kuzhinën autentike dhe mikpritjen, mirëpret me zemër të hapur turistët polakë.