RREGULLAT E HYRJES NE TERRITORIN RUMUN
Rumania është një vend anëtar i Bashkimit Evropian, që iu bashkua hapësirës Shengen me 1 Janar 2025.
Ashtu si edhe për në vendet e tjera të BE-së, shtetasit shqiptarë për të hyrë në territorin e Rumanisë, nuk duhet të kenë ndalim hyrje, si dhe duhet të kenë me vete dokumentet si më poshtë:
- Pasaportën biometrike të vlefshme të paktën edhe 3 muaj pas datës që planifikohet largimi nga territori i Rumanisë;
- Një ftesë nga një qytetar rumun apo një shtetas i huaj me qëndrim të rregullt në Rumani ose prenotimin e një hoteli (të paguar) për periudhën e qëndrimit;
- Para të mjaftueshme për periudhën e qëndrimit, 50 Euro dita por jo më pak se 500 Euro gjithsej. Në rast të përdorimit të Kartave bankare, duhet të kenë me vete vërtetimin e bankës për gjendjen e parave në llogarinë bankare të lidhur me kartën;
- Sigurimin shëndetësor ndërkombëtar për periudhën e qëndrimit në Rumani;
- Biletën e kthimit, në rastin e udhëtimit në rrugë ajrore.
- Nëse do të udhëtoni në rrugë tokësore të keni parasysh se me kushtet e reja të hyrjes së Rumanisë në Zonën Schengen, në disa raste, kontrollet për hyrjen në Rumani mund të mos jenë në kufirin shtetëror të Rumanisë por që nga pika e parë e Kufirit të hapësirës Schengen në të cilën do të paraqiteni me destinacion Rumaninë.
- Shtetasit shqiptarë mund të qëndrojnë në Rumani, për 90 ditë brenda një periudhe 6 mujore (180 ditë). Numërimi i ditëve të qëndrimit fillon në momentin e hyrjes së parë. Nga data e hyrjes së parë llogaritet 6-mujori përgjatë të cilit, shtetasit nuk mund të kalojnë afat qëndrimin prej 90 ditësh. Për hyrje-dalje të shkurtra, afati i qëndrimit është shuma e ditëve për secilin udhëtim.
Nëse përgjatë një 6-mujori shtetasit nuk qëndrojnë 90 ditë të plota, ditët e mbetura nuk kalojnë, si shtesë e afat qëndrimit të lejuar në 6-mujorin pasardhës.
Mosrespektimi i afat qëndrimit 90 ditor për 6 muaj përbën shkelje të legjislacionit të vendeve të Schengen-it. Shtetasit që thyejnë këtë afat penalizohen me gjoba ose me ndalim të hyrjes në të gjithë hapësirën Schengen.Për përllogaritjen e kohës së qëndrimit në vendet e zonës Shengen, klikoni në linkun: https://ec.europa.eu/assets/home/visa-calculator/calculator.htm
Rumania është vend i sigurt, e renditur mes 50 vendeve të sigurta në bote.
Por për cdo eventualitet këshilloheni që të ndiqni vazhdimisht njoftimet dhe rekomandimet e autoriteteve rumune dhe të përdorni periodikisht faqen e internetit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Shqiptate (WWW.mfa.gov.al).
– Në raste protestash zhvilluar në sheshe të ndryshme të Bukureshtit, jeni të lutur të evitoni kalimin në to zona ku zhvillohen demonstrata, lëvizje proteste ose tubime politike;
Për cdo problem që mund të hasni në të tilla raste, jeni të lutur të kontaktoni, Ambasadën e RSH në Bukuresht (https://ambasadat.gov.al/romania/ )
- Të vlerësoni në mënyrë të kujdesshme propozimet ose ofertat e bashkëpunimit të marra nga individë ose persona juridikë në Shqipëri dhe, nëse është e nevojshme, të jeni në kontakt e komunikim me zyra këshillimi (on doing business) ose të një avokati (njohës të gjuhes shqipe, angleze e mundësisht edhe rumune) ;
- Mbani dokumente, sende personale me vlerë, bileta udhëtimi, para dhe karta krediti në vende të sigurta dhe mos i ekspozoni në mënyrë të dukshme; Të jeni të kujdesshëm edhe nëse jeni duke udhëtuar me makinë personale, mos i mbani gjërat me vlerë në pamje të qartë në makinë; ose kur udhëtoni me transport publik, ju këshillojmë që të mbani gjithmonë një sy në bagazhet tuaja.
– Në rast incidentesh që prekin sigurinë ose pronën tuaj personale, kontaktoni zyrën tuaj më të afërt të policisë lokale, si dhe në rast të humbjes së pasaportës së udhëtimit, njoftoni zyrën e policisë lokale dhe ambasadën e RSH në Bukuresht.
Numrat e telefonit të urgjencës janë:
– Numri i përgjithshëm i urgjencës; 112
– Policia lokale; 021
– Ambulanca; 021
– Mbrojtja e femijeve; 119
Gjithashtu këshilloheni të kontaktoni Ambasadën e RSH në Bukuresht, e cila mund t’ju ofrojë ndihmë konsullore sipas kushteve të parashikuara në ligj.
- Detaje rreth kufijve të ndërhyrjes së zyrtarëve konsullorë – https://ambasadat.gov.al/romania/
Lidhur me qarkullimin e makinave – është në krahun e djathtë të rrugës. Në Rumani janë të vlefshme si patentat shqiptare, ashtu edhe ato ndërkombëtare. “Leja jeshile” e sigurimit ndërkombëtar të makinave është e detyrueshme.
Rregullat e qarkullimit në Rumani janë të ngjashme me ato në Shqipëri, por trafiku mbetet i ngjeshur dhe jo pak herë edhe i paparashikueshëm., ndaj duhet të tregoni kujdes maksimal.
Nëse planifikoni të merrni me qira një makinë, kontrolloni me kujdes të gjitha kërkesat ligjore me kompaninë përpara udhëtimit tuaj, duke kërkuar mundësisht dokumentacionin përkatës në gjuhën angleze.
– Në rast aksidenti automobilistik, të përfshirëve u kërkohet të mos ndryshojnë pozicionin e automjeteve. Agjentët e Policisë Rrugore kërkojnë mbështetjen e hetuesve ekspertë që mbajnë lejet e drejtimit të drejtuesve dhe certifikatat e regjistrimit. Nëse keni probleme komunikimi, jeni të mirëpritur të kontaktoni Ambasadën e RSH në Bukuresht, në numrin e Emergjencës: +40 756 127 787
– Kartat e kreditit kanë përdorim të gjerë në territorin rumun. Visa dhe MasterCard American Express pranohen lehtësisht nga bankat Rumune dhe ka mundësitë pagese me kartë krediti pothuajse gjithasndej.
Kontaktet me Ambasadën Shqiptare në Bukuresht:
Përfaqësimi diplomatik dhe konsullor i Republikës së Shqipërisë në Rumani sigurohet nga Ambasada e RSH në Rumani.
Adresa: Rruga Diuliu Zamfirescu 7, Bucharest, Sektori 1
Telefoni: +40 2121 9629
Faqja e internetit: https://ambasadat.gov.al/romania/
e-mail: embassy.bucharest@mfa.gov.al
Në situata emergjente, mund të kontaktohet në numrin e e ergjencës*: 0040 756 127 787