I. ASISTENCA E MBROJTJA E SHTETASVE NË VËSHTIRËSI
Në situata të vështira apo fatkeqësi shtetasit shqiptarë dhe të afërmit e tyre mund t’i drejtohen kurdoherë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtorisë së Çështjeve Konsullore, dhe Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit, për të marrë ndihmë dhe për t’u këshilluar. Shtetasit mund të kërkojnë ndihmën e Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të RSh-së edhe në rastet kur u shkelen të drejtat e tyre në shtetin e rezidencës. Asistenca dhe ndihma që mund të ofrohet jepet brenda kuadrit ligjor të lejuar nga aktet ndërkombëtare dhe marrëveshjet reciproke apo rrethanat konkrete.
II. KATASTROFAT NATYRORE DHE SITUATAT LUFTARAKE
Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSH-së veprojnë menjëherë për të kontaktuar shtetasit shqiptarë në zonat e prekura nga katastrofat natyrore dhe situatat luftarake jashtë shtetit. Të afërmit duhet të kontaktojnë menjëherë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtorinë e Çështjeve Konsullore, për të dhënë informacione të vlefshme për vendndodhjen e shtetasve. Inkurajojmë të gjithë shtetasit tanë të regjistrohen pranë Misioneve tona Diplomatike dhe Posteve Konsullore që mbulojnë shtetet ku ata qëndrojnë ose të kenë përherë numrat e emergjencës të publikuara në faqet e tyre zyrtare apo rrjetet sociale, ose Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtorinë e Çështjeve Konsullore në adresën dk@mfa.gov.al.
III. TERRORIZMI DHE RRËMBIMET
Shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë shtetit në zona të pasigurta duhet të mbajnë parasysh se mund të gjenden në situata sulimi terrorist apo rrëmbime të mundshme. Para udhëtimit jeni të lutur të informoheni për rrezikshmërinë e vendit të destinacionit dhe të evitoni udhëtimet në shtete të tilla.
IV. NDIHMA NË RASTET E VDEKJEVE
Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së ndihmojnë familjen dhe të afërmit në raste vdekjesh të shtetasve shqiptarë. Ato këshillojnë dhe ndërmjetësojnë me autoritetet e vendit pritës, për përgatitjen e dokumentacionit për kryerjen e veprimeve të procedurës së varrimit ose riatdhesimin me transporte funerale. Në rast se shtetasit që kanë ndërruar jetë nuk kanë të afërm në vendin e qëndrimit, Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore informojnë menjëherë Drejtorinë e Çështjeve Konsullore, për njoftimin e familjarëve.
V. ASISTENCA PËR TË SËMURËT OSE TË AKSIDENTUARIT RËNDË
Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSH-së ndihmojnë shtetasit shqiptarë të cilët kanë probleme shëndetësore ose të aksidentuarit rëndë, nëse nuk kanë të afërm, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftohen familjarët në Shqipëri.
VI. TË NDALUARIT, PERSONAT NËN HETIME DHE TË BURGOSURIT
Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSH-së, asistojnë shtetasit e ndaluar, nën hetim, ose të burgosur. Ato kontaktojnë autoritetet vendase, për tu siguruar për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve tanë dhe për të garantuar të drejtën për hetime e gjykime të paanshme. Ndërhyjnë për të mos lejuar keqtrajtimin e të burgosurve dhe sigurimin e kushteve normale, në raport me standardet e vendit pritës. Me dëshirën e shtetasve Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSH-së, rekomandojnë avokatë dhe përkthyes të njohur prej tyre. Njoftojnë përmes MEPJ, Drejtorisë së Çështjeve Konsullore, të afërmit dhe familjarët. Misionet Diplomatike dhe Postet Konsullore të RSh-së nuk mund të marrin përsipër përfaqësime në procese gjykimi, si avokatë mbrojtës. Shtetasit shqiptarë të ndaluar, të hetuar dhe të burgosur kanë të drejtën të zgjedhin, që të mos informohet apo kontaktohet Misioni Diplomatik/Posti Konsullor i RSH-së në shtetin ku janë aktualisht.
VII. NDIHMA NË RASTET E HUMBJES SË KONTAKTEVE
Për humbjen e kontakeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, të afërmit e tyre mund ti drejtohen Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashmte, Drejtorisë së Çështjeve Konsullore, ose Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore të RSh-së jashtë. Të afërmit duhet të mbajnë parasysh se strukturat e Shërbimit Konsullor nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në privatësinë e shtetasve. Ato nuk kanë të drejtë të kërkojnë, pa dëshirën e shtetasve, lidhjen me të afërmit e tyre.
VIII. ASISTENCA FINANCIARE PËR RIATDHESIMIN
Shpenzimet për riatdhesimin e shtetasve nuk përballohen nga shteti. Janë vetë shtetasit ose të afërmit e tyre që duhet të bëjnë pagesat për udhëtim e kthimit dhe pagesën e tarifës konsullore për lëshimin e dokumenteve të nevojshme.