Rreth Shqipërisë
Shqipëria, zyrtarisht Republika e Shqipërisë, shtrihet në pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe kufizohet në veriperëndim me Malin e Zi, në verilindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë e Veriut, në jug me Greqinë dhe në perëndim me Italinë. Shqipëria laget nga detet Adriatik dhe Jon dhe ndodhet vetëm 78 km larg Italisë përgjatë ngushtesës (kanalit) së Otrantos, 72 km i gjerë.
Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28,748 km² dhe rreth 2,9 milion banorë, 97 për qind janë shqiptarë etnikë.
Gjuha shqipe i përket familjes së gjuhëve indo-europiane dhe duke përbërë një degë krejtësisht më vete të kësaj peme, është një nga gjuhët më të ralla dhe më të vjetra në Europë. Gjuha shqipe sot flitet në Shqipëri dhe në viset perëndimore të Ballkanit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin lindjen me perëndimin, pikërisht në atë rajon që ka qenë djepi i qytetërimit antik evropian.
Historia e Shqipërisë është ajo e një prej popujve më të lashtë të Evropës Juglindore (së bashku me Greqinë). Përgjithësisht besohet se paraardhësit e shqiptarëve të sotëm ishin ilirët, të cilët kanë jetuar në këtë zonë që prej dy mijë vjetësh p.e.s. Në vitin 169 p.e.s. Shqipëria ra nën sundimin romak deri në ndarjen e Perandorisë, kur vendi u bë pjesë e Bizantit. Me ardhjen e osmanëve në Ballkan, shqiptarët, nën udhëheqjen e heroit të tyre kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu (1405-1468), të cilit Papa iu dha titulli “Athleta Christi”, për rreth një ]erek shekulli bënë një qëndresë të ashpër kundër perendorisë otomane, duke qenë mburoja e qytetërimit dhe krishterimit evropian. Pas vdekjes së Skenderbeut, Shqipëria ra nën sundimin osman që vazhdoi deri në vitin 1912.
Në 28 Nentor 1912, Ismail Qemali dhe patriotë përfaqësues të gjithë trevave shqiptare ngritën, në qytetin e Vlorës, Flamurin Kombëtar, duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kjo datë festohet dhe si Festa Kombëtare e Shqipërisë.
Në vitin 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër përcaktoi kufijtë e Shqipërisë duke lënë jashtë gjysmën e territorit të saj. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, shteti i ri i Shqipërisë u pushtua nga shumë ushtri ndërluftuese (Austri, Itali, Francë etj.).
Në dhjetor 1920, shteti i ri i Shqipërisë u rikonstituua dhe u bë anëtar i Lidhjes së Kombeve. Nga viti 1920 deri në vitin 1939, Shqipëria kaloi një përpjekje për ndërtimin e kombit, fillimisht si republikë dhe më vonë si monarki e drejtuar nga Mbreti Zog, i cili sundoi deri më 7 prill 1939, ditën kur Italia pushtoi Shqipërinë. Pushtimi italian u zëvendësua në shtator 1943 nga nazistët gjermanë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria organizoi rezistencën e saj kundër pushtimit italian dhe nazistëve dhe më 28 nëntor 1944 vendi u çlirua. Lufta shkaktoi shkatërrime të rënda materiale për vendin dhe rreth 28,000 viktima për popullsinë e tij. Qendra për Ndihmë për Popullsinë Civile (Gjenevë) raportoi se Shqipëria ishte një nga vendet më të shkatërruara në Evropë. Shqipëria është një shembull i rrallë që u çlirua pa ndërhyrjen e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike, por fatkeqësisht kjo nuk e pengoi të përfshihej nga Marrëveshja e Jaltës në anën e gabuar të Evropës.
Nga viti 1944 deri në mars 1991, Shqipëria drejtohej nga një prej diktaturave më mizore komuniste. Komunisti shqiptar, duke qenë në antagonizëm të qartë me vendet kapitaliste perëndimore, u prish me Bashkimin Sovjetik, u largua nga Traktati i Varshavës dhe përfundimisht u prish me Kinën, çka solli një izolim pothuajse total të vendit.
Rënia e perdes së hekurt e çliroi vendin nga diktatura komuniste dhe hapi rrugën drejt një tranzicioni të përgjithshëm për të kapërcyer trashëgiminë katastrofike komuniste dhe për të krijuar kushtet dhe mjedisin e nevojshëm për një shoqëri të suksesshme demokratike. Me një punë shumë të vështirë, duke kaluar nëpër dhimbje dhe ngjarje ndonjëherë kaotike, Shqipëria ka menaxhuar me sukses periudhën e tranzicionit, po ndërton me sukses të tashmen dhe ka projektuar të ardhmen e saj. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian.