Genc Pecani
Genc Ndreko Pecani
Lindur më 3 qershor 1963, në Tiranë
Dekretuar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Federates Ruse më dt. 28 shtator 2023. Përpara emërimit në këtë detyrë, z. Pecani ka kryer funksionin e Këshilltarit diplomatik të Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme.
Pecani është diplomat karriere që prej vitit 1991. Nga viti 2010 deri në vitin 2014, zoti Pecani ka kryer funksionin e Kreut te Ambasadës së Shqipërisë në Republikën Çeke. Para kësaj periudhe, ai ka kryer detyrën e Ministrit Fuqiplotë dhe Zëvendësambasadorit të Shqipërisë në Holandë, misionin e të dërguarit special (task force) pranë Misionit të Shqipërisë në OSBE, Zëvendësshefit të Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, Zëvendëspërfaqësuesit të Përhershëm të Shqipërisë pranë Këshillit të Europës dhe Sekretarit të parë të Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër.
Gjatë shërbimit të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe jashtë shtetit, ai ka kryer funksione të ndryshme që kanë patur të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe, politikat europiane dhe rajonale, çështjet e integrimit euro-atlantik dhe politikat e sigurisë, organizatat dhe institucionet ndërkombëtare si OKB, OSBE BE KiE OPCW HCCH ICJ ICC, OKI, BEDZ SECP etj.
Pecani ka përfaqësuar Shqipërinë në një sërë aktivitetesh dhe forumesh të rëndësishme ndërkombëtare. Ai ka qenë anëtar dhe koordinator i Delegacionit Shqiptar në Gjykatën e së Drejtës Ndërkombëtare (ICJ) gjatë procesit për çështjen e Pavarësisë së Kosovës (2009), anëtar i Delegacionit Shqiptar për firmosen e MSA-se me BE, anëtar i Kryesisë Shqiptare të Forumit për Siguri dhe Bashkëpunim të OSBE (2003), vëzhgues i OSBE në zgjedhjet presidenciale në Serbi (2002) si dhe negociator i një morie deklaratash dhe vendimesh ministeriale të Këshillit të Europës me interes kombëtar gjatë viteve 1998-2002.
Përpara se të angazhohej në Shërbimin e Jashtëm, z. Pecani ka punuar si gazetar (përkthyes, spiker, redaktor) dhe shef i Sektorit të emisioneve në gjuhën frënge në Radion e Jashtme (RTVSH).
Z. Pecani ka kryer studimet e larta për filologji (gjuhë, letërsi dhe qytetërim francez) në Universitetin e Tiranës (1982 – 1986). Pas studimeve universitare ai është specializuar në media dhe komunikim në Radio France Internacionale dhe në Qendrën Ndërkombëtare për Mediat Radiofonike dhe Komunikimin (CIRNEA) në Paris. Më pas, ai ka kryer dy stazhe specializimi për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Institutin e Kërkimeve dhe Studimeve Ndërkombëtare të Firences dhe në Institutin e Studimeve Diplomatike të Kajros.
Z. Pecani njeh shumë mirë gjuhët angleze, frënge dhe italiane si dhe ka njohuri në gjuhën spanjolle.