Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, SH.S.Znj. Elisa Spiropali, priti në takim Deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi, Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik.
Kryetarja Spiropali dhe Deputeti Kamberi diskutuan mbi bashkëpunimin e Kuvendit me institucionet dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, mbështetjen e zhvillimit dhe rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale, përmirësimin e shërbimeve publike arsimore e shëndetësore, forcimin e identitetit kombëtar e kulturor, bashkëpunimin e forcave politike shqiptare të Luginës, respektimin e të drejtave të tyre, nxitjen e dialogut me institucionet dhe rritjen e përfshirjes së shqiptarëve në Komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, por edhe kudo tjetër në Serbi, në proceset integruese të vendit.
Znj. Spiropali nënvizoi se pozita e fortë ndërkombëtare e Shqipërisë do të jetë një garanci më shumë për sigurimin e mbështetjes për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.