Në datat 27 dhe 28 nëntor, Ambasada e R.Sh.-së në Serbi, në bashkëpunim me Komunën e Preshevës dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, organizuan disa aktivitete festive në Luginën e Preshevës. Aktivitetet u zhvilluan me rastin e 112 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Më 27 nëntor, u shfaq filmi shqiptar “Koncert në vitin 1936”, i cili u shoqërua me një koncert të grupit artistiko-kulturor të Preshevës.
Më 28 nëntor, festimet u finalizuan me pritjen zyrtare tradicionale dhe me një ekspozitë me foto historike nga Shqipëria.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Bardhyl Canaj, theksoi vëmendjen dhe kujdesin e Shqipërisë ndaj komunitetit shqiptar në Serbi e kudo. Ai vlerësoi përpjekjet dhe punën e këtij komuniteti në ruajtjen e gjuhës, traditave e kulturës shqiptare. Me këtë rast, ai i shprehu Kryetares së Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani dhe Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Nevzad Lutfiu, falënderimet për angazhimin dhe ndihmën e pakursyer për organizimin me sukses të këtyre aktiviteteve tejet të rëndësishme.
Festën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi, Kryetari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari, Përfaqësuesi i OSBE-së, z. Antonios Balaskas, Përfaqësuesja e Zyrës së UNHCR-së, znj. Lirije Selmani Mesini, të gjithë kryetarët e subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës, përfaqësues të komunitetit të biznesit, të Shoqatës së Veteranëve, komuniteteve fetare e të shoqërisë civile, si dhe shumë të tjerë. Përfaqësues i qeverisë serbe ishte Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, z. Nikola Stojanović.