Më 20 shkurt 2025, mundësuar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Serbi, z. Bardhyl Canaj, u zhvillua takim mes Kryetarit të Këshillit të Agrobiznesit të Shqipërisë, z. Agim Rrapaj dhe Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Z. Enkel Rexhepi.
Në takim u diskutuan sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e agrobiznesit, rritja e bashkëpunimit mes fermerëve dhe bizneseve agro-industriale shqiptare nga Shqipëria dhe atyre nga Lugina e Preshevës, si dhe mbështetja direkte për bujqësinë në Luginë.
Dy kryetarët dakortësuan të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi brenda muajit prill, i cili do të përfshijë donacione, ekspertiza, implementimin e disa modeleve moderne për ndërtimin e serave në Luginën e Preshevës dhe hapjen e zyrës së Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar në këtë trevë.
Delegacioni i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar mori pjesë në Forumin e Biznesit Rajonal, që u mbajt dje në Beograd dhe diskutoi me organizatorët e tij, shoqatën e sipërmarrjeve bujqësore ‘STENA’, për nënshkrimin së afërmi të një memorandumi mirëkuptimi mes tyre.