Më 21 qershor 2025, zhvilloi vizitë në Preshevë Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, Z. Blendi Gonxhja. Për Ministrin Gonxhja u konsiderua privilegj e kënaqësi, nder e krenari, që ishte në Preshevë si Ministër i Qeverisë Shqiptare, me porosinë e veçantë dhe vëmendjen e Kryeministrit Edi Rama.
Në praninë e Ministrit Gonxhja, në Preshevë u zhvilluan dy evente të rëndësishme dhe madhështore: Panairi i Librit Shqip dhe spektakli festiv “Shën Tereza-Shqiptarja e gjithë botës”.
***
Panairi i parë i Librit Shqip u çel në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”. Ky panair u konsiderua një ngjarje historike që vendos librin dhe gjuhën shqipe në qendër të vëmendjes kulturore. Përgjatë dy ditëve kjo festë e librit bashkoi shkrimtarë, lexues dhe botues nga të gjitha trojet shqiptare. Panairi u organizua nga Biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” dhe Shtëpia Botuese “Albas” në Preshevë me ndihmën dhe financimin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd dhe me mbështetjen e Komunës së Preshevës.
Hapjen e Panairit të parë të Librit në Preshevë e përshëndetën dhe Kryetarja e Komunës së Preshevës, Znj. Ardita Sinani, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Serbi, Dr. Bardhyl Canaj dhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Znj. Alda Bardhyli.
***
Spektakli madhështor “Shën Tereza-Shqiptarja e gjithë botës”, kushtuar figurës së humanistes së madhe, u organizua nga Komuna e Preshevës në bashkëpunim me TV Klan Neës dhe përmes sponsorizimit nga disa biznese të trevave shqiptare. Krahas pjesëmarrjes së përfaqësuesve të rëndësishëm nga trevat shqiptare, eventin e nderuan me praninë e tyre një numër i madh Kryetarësh të Bashkive nga Republika e Shqipërisë. Artistë dhe personalitete të shquara nga Shqipëria iu bashkuan artistëve nga Lugina e Preshevës, për ta lartësuar edhe më shumë figurën e humanistes së madhe.
***
Gjatë qëndrimit në Preshevë, Ministri Gonxhja bëri të njohur se së shpejti, Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, do të lidhë një marrëveshje bashkëpunimi me Preshevën, që do të mundësojë projekte e programe shkëmbimi profesionale, ture e eksperienca krijuese, mbështetje teknike e promovim traditash, arti, kulture e trashëgimie.