Më 20 deri në 22 qershor 2025, në Bujanoc, u zhvillua për herë të parë Festivali i Filmit Shqiptar – Valley Film Festival, i organizuar nga Komuna e Bujanocit në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe disa shoqata nga trevat shqiptare.
Në hapjen e edicionit të parë të festivalit, Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Dr. Bardhyl Canaj, theksoi në fjalën e tij rëndësinë e promovimit të kulturës dhe artit në Luginën e Preshevës. Ai siguroi se Shqipëria do të jetë gjithnjë e përkushtuar në mbështetjen e nismave kulturore që pasurojnë jetën artistike të shqiptarëve në Luginë, duke konsideruar kulturën si një urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi midis komuniteteve.
Organizatorët artistikë, Z. Kushtrim Asllani dhe Z. Blerim Hyseni shprehën synimin që “Valley Film Festival” të shndërrohet në një ngjarje tradicionale që do të pasurojë jetën kulturore dhe artistike të rajonit.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Z. Arbër Pajaziti, premtoi se ky event do të përfshihet në kalendarin vjetor të buxhetit komunal.