Sot në Beograd u zhvillua Dita Evropiane e Gjuhëve, aktivitet i organizuar nga Institutet Kombëtare të Kulturës të Bashkimit Evropian në Serbi (EUNIC Serbia) si koordinator kryesor që përfaqëson rrjetin e instituteve kulturore dhe ambasadave në Serbi, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.
Mbi 1,000 nxënës të moshës 12–18 vjeç morën pjesë në lojëra dhe kuize që theksonin rëndësinë e të mësuarit të gjuhëve të huaja dhe pasurimin kulturor që ato sjellin.
Gjuha shqipe, e prezantuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi, u bë për herë të parë, pjesë aktive e kësaj feste shumëgjuhësore. Fëmijët që morën pjesë u pajisën me një “pasaportë gjuhësore”, të cilat i mbushnin me vula nëpër stendat e ndryshme dhe merrnin dhe një çantë dhuratash. Në fund, pjesëmarrësit patën mundësinë të fitonin dhurata dhe çmime përmes llotarive të organizuara nga ambasadat dhe institutet kulturore pjesëmarrëse.
















