Qendra për të Drejtat e Njeriut në Bujanoc, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar, organizoi sot konferencën përmbyllëse të projektit: “Raport mbi përdorimin e gjuhës shqipe në shënjimin e sinjalistikës rrugore dhe institucioneve publike në Luginën e Preshevës”. Raporti i publikuar paraqet dhe rekomandimet përkatëse konkrete, të cilat synojnë përmirësimin e menjëhershëm dhe afatgjatë të gjendjes në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi.
Ambasada e Shqipërisë u përfaqësua nga Këshilltarja Elona Dedi. Në fjalën e saj, Znj. Dedi vuri në dukje se përfaqësia jonë qëndron pranë Luginës së Preshevës dhe popullit të saj me përkushtim e përkrahje të vazhdueshme. Ne ndjekim me vëmendje zhvillimet në këtë trevë dhe mbetemi në mbështetje të nismave të tilla që synojnë promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët, forcimin e institucioneve vendore dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.





