Federata Shqiptare e Futbollit, nën angazhimin e posaçëm të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, dhuroi uniforma sportive për fëmijët dhe të rinjtë e Luginës së Preshevës.
Përfaqësuesit e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Znj. Anila Basha, Anëtare, Z. Andi Zere – Drejtor i Drejtorisë së Futbollit Bazë dhe Z. Migjen Basha, ish-Futbollist i Kombëtares, vizituan Luginën e Preshevës në kuadër të projektit “Uniforma Ime”, përmes të cilit u shpërndanë uniforma dhe topa futbolli për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë futbollistë në Komunat e Bujanocit dhe Preshevës.
Ky është një hap i rëndësishëm në mbështetje të talentëve të rinj dhe në ndërtimin e kushteve që sporti të bëhet një shtyllë e fortë e rinisë së Luginës.
Kryetarët e Komunave të Bujanocit dhe Preshevës shprehën mirënjohjen e tyre për Presidentin e FSHF-së, Z. Armand Duka për përkushtimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme, si dhe për angazhimin e diplomacisë shqiptare dhe posaçërisht të Ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, Z. Bardhyl Canaj.



