Më 14-15 dhjetor 2025, zhvilloi vizitë në Luginën e Preshevës Kryetarja e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, znj. Andriola Kambo.
Më 15 dhjetor mes Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Komunës së Bujanocit, nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi përmes së cilës fillon zbatimi i disa projekteve inovative dhe aktiviteteve në përkrahje të qytetarëve dhe të rinjve të Komunës.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit për implementimin e projektit pilot “Bazat e programimit C++”, në fillim të vitit 2026 do të nisë implementimi i projektit në Komunën e Bujanocit. Faza e parë e projektit do të implementohet fillimisht në këtë komunë dhe më pas e njëjta praktikë do të zbatohet dhe me Komunën e Preshevës.
Delegacioni i përbërë nga Kryetarja e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, znj. Andriola Kambo, Kryetari i Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Serbi, Sh.T.Z. Bardhyl Canaj, vizituan Shkollën e Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, ku para nxënësve shpalosën qëllimin dhe rëndësinë e projekteve.



