Sot, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Bardhyl Canaj, i shoqëruar nga Ambasadori Jetish Jashari, Shef i Zyrës së Ndërlidhjes së Republikës së Kosovës në Serbi, priti në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd përfaqësues të sektorit joqeveritar, aktivistë të shoqërisë civile, si dhe poetë dhe studiues nga Lugina e Preshevës.
Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave VLERA, Drejtoria për Inkluzion, Pozitiv 365, Instituti MOZAIK dhe Shtëpia Botuese “Zëri i Luginës”.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm, ndërtimin e partneriteteve dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushat e kulturës, arsimit dhe hulumtimit, me fokus të veçantë në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e traditave, identitetit dhe vlerave shqiptare.
Bashkëbiseduesit paraqitën ide dhe propozime konkrete për projekte dhe aktivitete që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe mbështetjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare në Luginën e Preshevës.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës dhuruan libra për dy Ambasadorët, si dhe vazo me lule për ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, si shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi.




