Sot, Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, priti në takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi.
Ndër çështjet e trajtuara në takim ishin tekstet mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, nevoja për trajnimin e mësimdhënësve, infrastruktura e vjetëruar shkollore e mësimore, mosnjohja e diplomave, akordimi i bursave për studentët shqiptarë të Luginës në universitetet e Shqipërisë, etj.
Ministrja Kumbaro shprehu gatishmërinë për nisjen e një bashkëpunimi të frytshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptar të Serbisë. Republika e Shqipërisë mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së shqiptarëve jashtë kufijve, si një element i rëndësishëm për stabilitetin, zhvillimin dhe shpresën për të ardhmen.



