Më 27 shkurt 2026, Luginën e Preshevës e vizitoi një delegacion i Akademisë “Rrënjët Tona”, së bashku me përfaqësues të disa shoqatave nga Shqipëria, të kryesuar nga Prof. i Asoc. Dr. Sazan Guri. Vizita u zhvillua nën kujdesin dhe shoqërimin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, Dr. Bardhyl Canaj, duke reflektuar angazhimin e drejtpërdrejtë diplomatik të Shqipërisë ndaj çështjeve me interes për komunitetin shqiptar në Luginë.
Gjatë qëndrimit u realizuan takime zyrtare me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, dhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi. Në këtë kuadër bashkëpunimi institucional, u nënshkruan tre Memorandume Bashkëpunimi ndërmjet Akademisë “Rrënjët Tona” dhe institucioneve përkatëse në Luginën e Preshevës, duke krijuar një platformë të qëndrueshme për zhvillimin e projekteve në fushën e kulturës, arsimit dhe shkëmbimeve gjuhësore.
Këto marrëveshje shënojnë një hap të konsoliduar drejt forcimit të pranisë kulturore dhe arsimore shqiptare në Luginë, si dhe drejt mbështetjes së ruajtjes së identitetit kombëtar. Ndër masat e para konkrete parashikohet pasurimi i bibliotekave në Preshevë dhe Bujanoc me botime në gjuhën shqipe.
Në këtë kontekst, Komuna e Bujanocit do të përfitojë 1000 libra në gjuhën shqipe, të cilët do të shpërndahen në bibliotekën e qytetit dhe në institucionet arsimore. Ky kontribut përbën një investim të drejtpërdrejtë në arsimimin, ndërgjegjësimin kulturor dhe të ardhmen e brezave të rinj shqiptarë.
Përmes kësaj nisme, komuniteti akademik shqiptar rikonfirmon lidhjen e tij të qëndrueshme me Luginën e Preshevës, duke e konsideruar atë pjesë integrale të hapësirës së përbashkët kulturore dhe shkencore.
Roli i Ambasadorit Bardhyl Canaj u vlerësua veçanërisht nga drejtuesit institucionalë si një faktor kyç në koordinimin dhe fuqizimin e këtij bashkëpunimi, duke garantuar mbështetje të vazhdueshme dhe duke nxitur sinergji mes institucioneve shtetërore, akademike dhe shoqërisë civile.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd mbetet e përkushtuar në avancimin e iniciativave që forcojnë identitetin kulturor dhe arsimor të shqiptarëve në Serbi, duke luajtur një rol aktiv dhe proaktiv në mbështetje të të drejtave dhe zhvillimit të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.



