Në ambientet e Ambasadës, Ambasadori Bardhyl Canaj zhvilloi sot një bashkëbisedim të frytshëm dhe konstruktiv me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, lidhur me agjendën e përbashkët dhe planet konkrete të bashkëpunimit për muajt në vijim.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, mbështetjen e fermerëve lokalë, si dhe promovimin dhe ruajtjen e kulturës dhe traditave të zonës së Preshevës.
Në ditët në vijim pritet të nënshkruhet në Tiranë marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Komunës së Preshevës. Kjo marrëveshje do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt konkretizimit të projekteve të përbashkëta, duke hapur rrugë për bashkëpunim më të strukturuar në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë dhe ekonomisë lokale në Preshevë.



