Me ndërmjetësimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Serbi, sot, në Tiranë, mori jetë një tjetër iniciativë në mbështetje të minoritetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Ministri Andis Salla dhe Kryetarja Ardita Sinani, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Komunës së Preshevës, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, me fokus në:
– zhvillimin dhe modernizimin e praktikave bujqësore;
– mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e kapaciteteve teknike e profesionale;
– bashkëpunimin në nën-sektorët prioritarë të bujqësisë, si prodhimi bimor, blegtoria, bletaria dhe mikro-përpunimi shtëpiak e artizanal i produkteve agro-ushqimore;
– zhvillimin dhe mbështetjen e investimeve bujqësore dhe rurale;
– forcimin e zinxhirit të vlerës agro-ushqimore;
– hartimin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Përmes këtij memorandumi Shqipëria synon të mbështesë më konkretisht komunitetin shqiptar të Preshevës në bujqësi, të nxisë shkëmbimin e përvojës dhe njohurive profesionale, si dhe të krijojë mundësi për projekte të përbashkëta dhe akses në fondet e Bashkimit Europian, duke i dhënë më shumë mundësi zhvillimit ekonomik lokal dhe fermerëve të zonës.



