Sot, në Elbasan, u zhvillua një vizitë institucionale në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, me pjesëmarrjen e 50 nxënësve maturantë shqiptarë dhe 4 mësuesve nga shkollat e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Gjimnazi “Skënderbeu” dhe Shkolla e Mesme Teknike “Presheva” në Preshevë.
Ky aktivitet u organizua nga Universiteti i Elbasanit, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd, Bashkinë e Elbasanit dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi. Delegacioni u shoqërua edhe nga Kryetari i KKSH-së, z. Enkel Rexhepi.
Gjatë vizitës, maturantët nga Lugina e Preshevës patën mundësinë të njihen nga afër me kushtet dhe ambientet e studimit që ofron universiteti. Rektorja, Prof. Dr. Elvira Fetahu, prezantoi ndër të tjera mundësitë për përfitimin e bursave të studimit falas, ndërsa përfaqësues të Bashkisë së Elbasanit informuan mbi mundësinë e akomodimit falas në konviktet e korpusit universitar për studentët që do të përzgjidhen në vijim.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ambasadori Bardhyl Canaj, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive konkrete për arsimimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
Në kuadër të kësaj vizite, u zhvilluan edhe takime të rëndësishme institucionale në qytetin e Elbasanit. Delegacioni pati një takim të veçantë me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjen konkrete për studentët nga Lugina, përmes bursave dhe akomodimit falas.
Gjithashtu, u realizua një vizitë në Qendrën “Aleanca Sociale”, ku u diskutua mundësia e bashkëpunimit për hapjen e një qendre të specializuar për fëmijët me nevoja të veçanta në Luginën e Preshevës. Ky bashkëpunim synon angazhimin e ekspertëve për trajnimin e kuadrove dhe ndërtimin e një modeli funksional shërbimi për këtë kategori të ndjeshme.
Kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Ambasadës për të qenë sa më pranë qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, duke mbështetur në mënyrë konkrete arsimimin, mirëqenien dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të rinjve dhe komunitetit në tërësi.




