Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përshëndeti sot çeljen e Samitit IV të Diasporës Shqiptare.
Gjatë kësaj fjale, Presidenti Begaj theksoi suksesin e arritur nga shqiptarët në të gjithë botën dhe në fusha të ndryshme, kontributin e Diasporës në Shqipëri, si dhe vlerësoi si sfidë kryesore shndërrimin e saj në partnere të së ardhmes së Shqipërisë.
“Shqiptarët janë aty: nga majat e inteligjencës artificiale, tek institucionet ndërkombëtare, tek auditorët e universiteteve më të mira, te sipërmarrjet e suksesshme, te sallat e operacionit, te fushat e sportit dhe skenat e artit. Diaspora nuk përfaqëson vetëm një histori suksesi individual. Ju jeni fuqia dhe forca jonë! Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni, pa urdhër, por me krenari!” – deklaroi Presidenti i Republikës duke theksuar se ky potencial i madh duhet shfrytëzuar.
Ky është samti i parë që mbahet pas pjesëmarrjes së Diasporës në zgjedhjet politike të Shqipërisë, ndaj dhe Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e përfaqësimit të saj përmes një strategjie konkrete.
“Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, me një kontratë të re, një kontratë ku Diaspora nuk shihet si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi, ku shteti nuk kërkon vetëm kontribut, por hap dyert dhe krijon mundësi reale, ku lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes, e ekonomisë dhe e së ardhmes së përbashkët”, – u shpreh Kreu i Shtetit, duke nënvizuar si sfidë përfshirjen e Diasporës si pjesë organike të sistemit tonë shqiptar.
Në këtë kuadër Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e investimeve për avancimin e këtij bashkëpunimi.
“Prandaj, duhet të investojmë më shumë në gjuhën shqipe, në arsim, në rrjete profesionale dhe në qendra kulturore në botë, që brezat e rinj të mos e trashëgojnë Shqipërinë si një kujtim të largët, por si një lidhje të gjallë e të fortë”, – deklaroi Presidenti Begaj.
Në çelje të këtij Samiti të Katërt të Diasporës, Kreu i Shtetit vlerësoi me dekorata shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit dhe kontributorët ndërkombëtarë që i kanë shërbyer Shqipërisë.



