Me 14-15 prill në Tiranë zhvilloi punimet Samiti IV i Diasporës Shqiptare “Përmes rrënjëve, lartësohemi”, në të cilin morën pjesë, me ftesë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, edhe autoritetet shqiptare të Luginës së Preshevës, përkatësisht Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi, Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj, Ardita Sinani dhe Kryetari i Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti. Autoritetet shqiptare të Luginëss ë Preshevës, u shoqëruan në këtë samit dhe takimet e zhvilluara prej tyre nga Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, z. Bardhyl Canaj.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi ishte pjesë aktive e panelit 1 me titull “Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: nga vota te përfaqësimi institucional”, ndërsa Kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani, ishte pjesë e panelit 8 të titulluar: “Zhvillimi local dhe rural – a ka rol për diasporën?”.
Ky samit i bëri bashkë, shqiptarët nga të katër anët e botës, duke dëshmuar edhe njëherë forcën dhe rëndësinë e diasporës sonë.



