Bruksel | Ministri Hoxha takim me Komisioneren Marta Kos:
Perspektiva evropiane e Shqipërisë e ndërtuar mbi rezultate konkrete, standardet e BE – prioriteti ynë i përditshëm
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:
Si gjithmonë, është kënaqësi e veçantë të zhvillosh një shkëmbim thelbësor me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, Komisioneren tonë.
Duke u bazuar mbi një proces negocimi të avancuar dhe dinamik për Shqipërinë, theksuam rëndësinë e ruajtjes së momentumit aktual dhe vijimit përpara me konsistencë dhe fokus.
Është thënë shumë herë, por mbetet thelbësore: një proces zgjerimi i besueshëm dhe i bazuar në meritë kërkon vendime në kohën e duhur, që ruajnë besimin dhe e mbajnë procesin të parashikueshëm, efektiv dhe të orientuar drejt së ardhmes. Zgjedhja e Shqipërisë është e qartë: rruga e saj drejt BE-së është e ndërtuar mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete.
Diskutuam gjithashtu zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, i cili, në rastin e Shqipërisë, përplotëson procesin e anëtarësimit në BE dhe sjell përfitime të prekshme për qytetarët.
Harmonizimi i vazhdueshëm me standardet e BE-së, forcimi i sundimit të ligjit dhe i një gjyqësori të pavarur e profesional, si dhe progresi i qëndrueshëm në të gjithë grupkapitujt e negociatave mbeten prioritetet tona të përditshme.
Nënvizuam rolin kyç të një komunikimi të qartë dhe konsistent, si mbi përfitimet, ashtu edhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, thelbësor për rritjen e mbështetjes publike dhe për nxitjen e transparencës dhe gjithëpërfshirjes.



