Më 8 korrik 2026, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Preshevë dhe Bujanoc, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të dytë të Panairit të Librit Shqip 2026 në Preshevë.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj u takua me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, deputetin në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi, si dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi. Në delegacion ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Serbi, z. Bardhyl Canaj.
Takimet u zhvilluan në frymë bashkëpunimi dhe u përqendruan në çështje me interes për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës. Bashkëbiseduesit diskutuan për sfidat që lidhen me përfaqësimin institucional, arsimin, zhvillimin lokal, mbështetjen për të rinjtë, si dhe për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit Shqip 2026, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e librit dhe të gjuhës shqipe si vlera të kulturës, dijes dhe identitetit, duke nënvizuar se promovimi i leximit, arsimit dhe bashkëpunimit kulturor përbën një investim të rëndësishëm për të ardhmen e brezave të rinj. Ai vlerësoi Panairin e Librit si një platformë që forcon shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin ndërmjet botuesve, autorëve dhe institucioneve nga hapësira shqipfolëse, si dhe ritheksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave gjuhësore, kulturore dhe arsimore, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Presidenti Begaj rikonfirmoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Shqipërisë për të vijuar bashkëpunimin me përfaqësuesit institucionalë të Luginës së Preshevës dhe për të mbështetur përpjekjet që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor, si dhe avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar.
Kjo vizitë dëshmoi vazhdimësinë e angazhimit institucional të Republikës së Shqipërisë ndaj Luginës së Preshevës dhe rëndësinë e dialogut të rregullt me përfaqësuesit e saj institucionalë. Ajo përcolli mesazhin e mbështetjes për komunitetin shqiptar në këtë trevë, si dhe gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin në funksion të mbrojtjes së të drejtave, ruajtjes së identitetit kulturor e gjuhësor dhe nxitjes së zhvillimit në fusha me interes për qytetarët.





