Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, Dr. Bardhyl Canaj, mori pjesë në BELTALKS 2026, në tryezën e mbyllur të mëngjesit me temë “Nga premtimi te procesi: Projektimi i modelit të ardhshëm të integrimit evropian”, si dhe ndoqi punimet e të gjitha paneleve të konferencës, të organizuar nga GLOBSEC.
Tryeza mblodhi përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve, politikëbërës dhe ekspertë, për të diskutuar mbi mënyrat se si angazhimi politik i Bashkimit Evropian për zgjerimin mund të shndërrohet në një proces më të besueshëm, të qëndrueshëm dhe funksional integrimi.
Diskutimi u përqendrua veçanërisht në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, format e integrimit gradual dhe bashkëpunimit sektorial, si dhe në nevojën për një proces zgjerimi të besueshëm, të bazuar në meritë, përmbushjen e standardeve dhe zbatimin e reformave të qëndrueshme.
Në këtë kuadër, Shqipëria u vlerësua pozitivisht për progresin e bërë në procesin e integrimit evropian dhe për avancimin e saj në përmbushjen e standardeve dhe reformave të kërkuara në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
BELTALKS 2026 konfirmoi se një integrim më gradual, funksional dhe i besueshëm i Ballkanit Perëndimor në strukturat dhe mekanizmat e BE-së, i shoqëruar me përfitime konkrete ekonomike përpara anëtarësimit të plotë, mbetet një nga qasjet kryesore të diskutuara për avancimin e procesit të integrimit evropian të rajonit.





