Në datat 13-14 tetor 2016 kryeministri Edi Rama kreu një vizitë dy ditore në Republikën e Serbisë. Ai mori pjesë në Forumin e VI të Sigurisë në Beograd. Forumi u hap nga presidentja e këtij forumi, Sonja Licht dhe vijoi me panelin “E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe stabiliteti në Europën Juglindore” ku morën pjesë dy kryeministrat, Edi Rama dhe ai serb Aleksandar Vuçiç. Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilluan një takim në Pallatin e Serbisë me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në hotel “Crowne Plaza” u bë promovimi i librit të Edi Ramës “Zrtvovanje” (Kurban). Libri u përkthye në serbisht nga Xhorxhe Bozhoviç dhe u botua nga shtëpia botuese “Samizdat”.
Më datë 14 tetor kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte mori pjesë në Forumin Ekonomik Serbi-Shqipëri të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Serbisë dhe Business Albania. Takimin e hapën të dy kryetarët e Dhomave përkatëse, Marko Çadezh dhe Luan Bregasi. Më pas pjesëmarrësit u përshëndetën nga kryeministri serb Vuçiç dhe ai shqiptar Rama.
Kryeministri Rama pati një takim me kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, Shqiprim Arifi dhe Shaip Kamberi, me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi dhe kryetaren e Këshillit Bashkiak të Preshevës, Ardita Sinani. Në takim mori pjesë edhe ambasadori Ilir Boçka.
Gjatë qëndrimit në Beograd e, më pas, në Nish kryeministri Rama dha një sërë intervistash për mediat e vendit dhe ato të huaja të akredituara në këtë vend, si Reuters, AFP, N1, B92, RTK, Danas etj. Qëndrimi dhe takimet e kryeministrit shqiptar u pasqyruan gjerësisht nga media e shkruar dhe ajo elektronike.