Më 3 qershor 2024, Ambasadori Bardhyl Canaj mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare ‘Navigating Changes in Contemporary International Relations’, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Politikat dhe Ekonomitë, së bashku me Rektoratin e Universitetit të Beogradit dhe Fakultetin për Politikat e Sigurisë së këtij Universiteti.
Në këtë Konferencë morën pjesë akademikë, profesorë, ekspertë e studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare nga 16 vende të botës, përfshirë SHBA-në, BE-në, Zvicrën, Britaninë e Madhe, etj, si dhe Ambasadorët e akredituar në Serbi.
Në fjalët e tyre: Ministri i Jashtëm, Z. Marko Gjuriq, Presidenti i këtij Instituti, Prof.Gjorgjeviq, Rektori Prof.Dr. Gjokiq, Dekani-Prof.Cvetkoviç e akademikët e profesorët e Universiteteve ndërkombëtare në 3 Panelet specifike, nënvizuan dinamikën aktuale të gjeo-politikës së sotme, përfshirë konfliktin Rusi-Ukrainë; Situatën humanitare në Gaza; Rezolutën e OKB-së për Srebrenicën dhe impaktin e saj; Perspektivat e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian; Raportet Serbi-Kosovë; Ecurinë e Serbisë në këtë kontekst; si dhe strategjinë e saj për të vijuar me neutralitetin ushtarak.