Ambasadori Canaj u prit sot në një takim pune nga Rektori i Universitetit të Beogradit Prof.Dr. Vladan Djokić. Takimi u fokusua në intensifikimin e bashkëpunimit mes Universitetit të Beogradit dhe Universitetit Shtetëror të Tiranës, rritjen e mëtejshme të hapësirave kooperuese me Universitetet e Vlorës dhe Shkodrës, vijueshmërinë e shkëmbimeve të ndërsjellta të studentëve e pedagogëve, përmes programit Erasmus, etj.
Në vijim të kërkësës zyrtare të Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqipëtar, Z. Nevzat Lutfiu dërguar Rektorit Prof. Dr. Djokić në fillim të këtij viti, Ambasadori Canaj kërkoi implementimin e propozimit për hapjen e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Luginën e Preshevës, si një e drejtë kushtetuese në ndihmë të minoritetit shqiptar të kësaj treve.
Rektori Djokić u angazhua të nisë konsultimet me Dekanin e trupën e profesoratit të Fakultetit të Filologjisë, si dhe me pedagogët e mësimdhënësit e gjuhës shqipe pranë kësaj katedre të këtij Fakulteti, për të konkretizuar këtë projekt sa më shpejt.