Ambasadori Bardhyl Canaj mirëpriti sot Shefen e re të sapoemëruar të Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit, znj. Merime Krijezi.
Gjatë takimit, u diskutua mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndëruniversitar dhe forcimin e lidhjeve akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Në bisedë, Ambasadori Canaj theksoi rëndësinë e shkëmbimeve të pedagogëve dhe studentëve ndërmjet universiteteve në Shqipëri dhe Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit, si një hap i rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit akademik, ndarjen e përvojave dhe promovimin e programeve të përbashkëta studimore e kërkimore.
Ambasadori Canaj shpreh gjithashtu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë me znj. Naile Imami, ish-shefen e Katedrës së Gjuhës Shqipe, për kontributin e saj të vyer dhe i uron pension të mbarë.



