Ditën e martë, më datë 27 shkurt 2018, në Beograd u zhvillua takimi tripalësh i ministrave të Punëve të Jashtme të Serbisë, Shqipërisë e Italisë: Ivica Daçiç, Ditmir Bushati dhe Angelino Alfano. Ky është takimi i tretë i zhvilluar sipas këtij formati pas atij të Romës dhe të Tiranës.
Gjatë takimit ministrat diskutuan rreth marrëdhënieve dy e shumëpalëshe në rajon, dinamikës së proceseve integruese në Bashkimin Europian, nismave rajonale, samitit të ardhshëm të Londrës në suazë të Procesit të Berlinit, duke e vënë theksin në zhvillimet ekonomike e shkëmbimet tregtare, investimet e huaja, zhvillimin e arsimit dhe të projekteve artistike e kulturore, si dhe bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile. Një vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve për të rinjtë në fusha si arsimi e punësimi, duke hedhur idenë e krijimit të një Erasmusi për Ballkanin Perëndimor, sipas modelit të atij europian.