Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Klodiana Spahiu mori pjesë në Konferencën Inaugurative e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, organizuar në Beograd nga Kuvendi Kombëtar i Republikës së Serbisë dhe Rada Supreme e Ukrainës, nën moton “Së bashku në formësimin e së ardhmes së Europës”.
Kjo konferencë e parlamenteve të vendeve kandidate kishte qëllimin final krijimin e një formati të përvitshëm bashkëpunimi, si një mekanizëm i qëndrueshëm për forcimin e dialogut parlamentar, shkëmbimin e përvojave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian.
Znj. Spahiu shprehu bindjen dhe theksoi fort se formatet e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Integrimit Europian, duhet të mbeten gjithëpërfshirëse, të hapura dhe transparente për të gjitha vendet që aspirojnë aderimin në Bashkimin Evropian, pa lënë asnjë pas.
Shqipëria ka treguar angazhim, qartësi dhe koherencë strategjike në këtë rrugëtim, për një rajon të qëndrueshëm dhe një Europë të sigurtë.



