Shqipëria prezantohet në Beograd përmes verërave vendase, traditave, identitetit kulturor dhe ofertës së saj turistike, në edicionin e pestë të Panairit Ndërkombëtar të Verës, Ushqimit dhe Pijeve, që mbahet nga 10 deri më 12 tetor 2026.
Me pjesëmarrjen e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, z. Andis Salla, Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Jola Hysaj dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Serbi, Dr. Bardhyl Canaj, Shqipëria promovon verërat e kompanive vendase dhe potencialin e saj turistik, nga peizazhet natyrore dhe trashëgimia e pasur kulturore, te mjeshtëria artizanale dhe traditat që përbëjnë pjesë të identitetit kombëtar.
Panairi mbledh mbi 500 ekspozues nga rajoni dhe vende të ndryshme të botës, duke krijuar mundësi për shkëmbime, partneritete dhe bashkëpunim ndërkombëtar në sektorët e verës, gastronomisë dhe turizmit.
Pjesëmarrja e Shqipërisë përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit rajonal, zgjerimin e kontakteve tregtare dhe promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare.





