Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Dr. Bardhyl Canaj, priti në një takim pune Ambasadorin e OSBE-së në Serbi, z. Jan Bratu. Bashkëbisedimi u fokusua në zhvillimet politike në Serbi, Rajonin e Ballkanit, raportet Serbi-Kosovë dhe dinamikën intensive diplomatike të Zyrës së OSBE-së përkundrejt të drejtave ligjore, kushtetuese e humane të minoritetit shqiptar në Serbi.
Ambasadori Canaj falenderoi Ambasadorin Bratu për përkushtimin, angazhimin konstruktiv dhe dialogun vijues me shtetarët serb për të implementuar sa më shpejt Planin 7 Pikësh (Për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës), të Qeverisë së Serbisë dhe Faktorit Politik Shqiptar, i cili do të mundësojë integrimin e plotë të shqiptarëve; rivitalizimin e situatës ekonomike e sociale, kulturore e arsimore të tyre; njohjen e diplomave dhe frenimin e pasivizimit të adresave.