Me ftesë të kryetarit të komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, ditën e shtunë, më 26 maj 2018, ambasadori Ilir Boçka mori pjesë në veprimtarinë përkujtimore “3 vjet solidaritet” organizuar nga komuna e Preshevës në qendrën kulturore “Abdullah Krashnica”.
“Edhe pse pak në numër e shumë me zemër shqiptarët e Luginës së Preshevës, kësaj herë, edhe sikur shumë herë tjera, i treguan botës shqiptarinë e vërtet që mikëpritjen e ka traditë kombëtare”, u shpreh kryetari Arifi në fjalën e vet përshëndetëse.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ambasadori Ilir Boçka, i cili iu dorëzoi një tabelë përkujtimore vullnetarëve që u nderuan me këtë rast.
Me këtë rast të pranishmit vizituan ekspozitën fotografike të fotografit Krenar Halimi si dhe ndoqën filmin dokumentar që risolli në kujtesën e qytetarëve të Preshevës ato ditë të ngarkuara me dhimbje, emocion dhe humanizëm.
Gjatë vizitës së tij në Preshevë, ambasadori Boçka dha një intervistë për televizionin lokal “Aldi”.
Gjatë qëndrimit të tij në Preshevë dhe në Bujanoc, ambasadori Boçka zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike e të shoqatave jo qeveritare. Një takim të veçantë ai pati me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Shukri Ymeri.