Për herë të parë, Këshilli Kombëtar Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe me asistencën e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, po organizon një seri aktivitetesh kulturore, artistike dhe identitare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak, me rastin e festave të Nëntorit.
Kjo nismë vjen menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në shtator midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, si dhe pas vizitave zyrtare të zhvilluara këtë vit nga Ministri Blendi Gonxhja në Luginën e Preshevës, të cilat u realizuan nën kujdesin dhe vëmendjen e posaçme të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Gjatë këtyre vizitave, u thellua dialogu me komunitetin shqiptar, institucionet lokale dhe të rinjtë që mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në Luginë.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit mbetet plotësisht e përkushtuar të forcojë bashkëpunimin me Bujanocin, Preshevën dhe të gjithë Luginën, duke mbështetur nismat kulturore, panairin e librit, artistët e rinj, aktivitetet komunitare dhe çdo përpjekje që ruan, zhvillon dhe promovon identitetin shqiptar.


