Mbrëmë në mjediset e vila “Jelen”, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd organizoi një mbrëmje përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të lindjes së artistit të madh shqiptar Bekim Fehmiu. Për përgatitjen e kësaj veprimtarie u bashkëpunua me z. Veran Matiç, drejtuesin e shtëpisë botuese “Samizdat”, e cila është edhe botuesja e dy vëllimeve me kujtime të Bekim Fehmiut në gjuhët serbisht e shqip.
Në fjalën e vet, ambasadori Ilir Boçka u uroi mirëseardhjen miqve dhe të ftuarve, si dhe vlerësoi lart figurën e artistit shqiptar, veprën dhe mesazhet humaniste të përcjella prej tij në krijimtarinë kinematografike e atë teatrore, por edhe në librat me me kujtimet e veta.« Me Bekim Fehmiun dhe veprën e tij ndodh si me malet, duhen parë në distancë për të kapur të gjitha përmasat e tyre reale. Ne tani e kemi këtë distancë dhe jemi në gjendje të vleresojmë madhështinë e artit të tij si forcë e përparimit, edukimit dhe përsosjes së njeriut », u shpreh ambasadori Boçka. Më tej, ai tha se, « Bekimi qëndroi gjithnjë i palëkundur në vlerat te të cilat ai besonte, të humanistit që deshiron gjithnjë të mirën për njerezimin, që refuzon përcarjen, që dëshiron përkryerjen e qenies njerëzore në art, por edhe jashtë tij, në dashurinë dhe bashkëjetesën në harmoni mes njerezve që u përkisnin etnive dhe besimeve të ndryshme. Vlera që sot i shohim të mishëruara në familjen e madhe ëe popujve europianë, ku Shqipëria dhe Serbia duan të integrohen ».
Më pas e mori fjalën botuesi i Kujtimeve të Bekim Fehmiut, z. Veran Matiç, i cili solli për të pranishmit mesazhin e përbashkët të të dy kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Bekim Fehmiut. Ai u shpreh, gjithashtu, për rolin e madh që mund e duhet të luajnë arti e kultura në ngritjen e urave të miqësisë mes dy popujve dhe vendeve tanë. Z. Matiç tha se shtëpia e tij botuese do të vazhdojë edhe më tej me botimin e autorëve shqiptarë në serbisht, si Ismail Kadare e të tjerë.
Bashkëshortja e Bekim Fehmiut, aktorja e njohur e skenës dhe e ekranit, Branka Petriç, në fjalën e vet falenderoi ambasadorin Ilir Boçka për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore për nder të bashkëshortit të saj, si dhe solli për të pranishmit episode kujtimesh nga jeta dhe puna e aktorit të shquar.
Më tej, u shfaq filmi dokumentar i Kinostudios « Shqipëria e Re », « Bekim Fehmiu në Shqipëri », i cili i kushtohej vizitës së aktorit në vendin tonë në prill-maj 1972. Veprimtaria vazhdoi me shfaqjen e disa fragmenteve të spektaklit « E dua Shqipërinë » të realizuar në vitin 2002 në Tiranë, në të cilin kishte qenë i pranishëm edhe Bekim Fehmiu me të shoqen.
Në këtë mbrëmje morën pjesë një numër aktorësh, regjisorësh, skenaristësh dhe shkrimtarësh të shquar, bashkëkohës të Bekim Fehmiut, por edhe të një brezi më të ri, si dhe ambasadori italian në Beograd, Giuseppe Manzo, ai i Malit të Zi, Branislav Miçunoviç, Drejtori për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme Slobodan Vukçeviç, gazetarë, diplomatë, akademikë, historianë të artit e të ftuar të tjerë.