Siç është shndërruar tanimë në një traditë të përvitshme, dje, më datë 29 maj, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd hapi siparin festivali kulturor artistik me emrin kuptimplotë “Mirëdita, dobar dan”. Qëllimi i kësaj veprimtarie kulturore përmes shkëmbimeve artistike është krijimi i një tradite të qëndrueshme bashkëpunimi në një hapësirë të përbashkët kulturore e artistike, e cila, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, synon të jap ndihmesën e vet për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Festivali bashkon njerëzit, idetë dhe krijimtarinë e tyre përmes veprave artistike dhe debatit publik, duke krijuar një platformë unike bashkëpunimi unike në rajon e ndoshta edhe më gjerë. Në këtë habitat kulturor mblidhen artistë, aktivistë të të drejtave të njeriut, politikanë nga Kosova e Serbia, duke krijuar një mjedis të përbashkët fryme paqeje dhe mirëkuptimi.
Në ditën e parë të festivalit u hap ekspozita e artit pamor e artistit Shkumbim Tafilaj “Le të bëjmë dashuri” dhe, më pas, u vijua me shfaqjen e filmit “Nëntor i ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës.
Në ceremoninë e hapjes së festivalit ishte i pranishëm edhe ambasadori Ilir Boçka.