Në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, ekonomik dhe rinor, me vëmendjen e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, u nënshkrua sot në Tiranë Memorandumi historik mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministri Z. Blendi Gonxhe dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi si përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfaqësuar nga Kryetari Z. Enkel Rexhepi. Ky Memorandum forcon diplomacinë kulturore dhe ekonomike shqiptare, duke hapur rrugë për qasje të përbashkët në politikat, programet dhe iniciativat rajonale. Përmes tij synohet nxitja e nismave të përbashkëta, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i inovacionit, si ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të #Diplo2025 – Konferencës së Ambasadorëve, duke i dhënë një dimension të ri diplomacisë shqiptare në shërbim të kulturës, ekonomisë dhe solidaritetit ndërshqiptar.