Sot, gjatë një ceremonie të posaçme në Panairin e Verës në Beograd, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Cela dhe Drejtoresha e Organizatës Kombëtare të Turizmit të Serbisë Znj. Marija Labovic nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi.
Në deklaratën e saj për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Çela, nënvizoi:
“Ne kemi rënë dakord të punojmë së bashku për të siguruar turizëm të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në zonat malore dhe parqet kombëtare. Në aspektet kryesore të këtij memorandumi, të dyja agjencitë tona të turizmit do të zhvillojnë dhe promovojnë produkte turistike për turistët shqiptarë dhe serbë.
Drejtimet kryesore të këtij memorandumi do të jenë:
1. Ndarja e informacionit dhe ngjarjeve
– Shkëmbimi i informacionit në lidhje me ngjarjet e promovimit të turizmit (ekspozita, panaire, seminare etj.)
2. Marketingu dhe Reklamimi
– Shkëmbimi i përvojës në zbatimin e strategjive të marketingut
– Shkëmbimi i statistikave të turizmit
3. Përmirësimi i cilësisë
– Shkëmbimi i përvojës në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës në turizëm
4. Media dhe Komunikimi
– Shkëmbim përfaqësues të mediave dhe udhëtime informuese
5. Bashkëpunime në Projekte
– Projektet e shkëmbimit të financuara nga Bashkimi Evropian për politikën e gjelbër dhe turizmin
6. Edukimi dhe zhvillimi profesional
– Vendosja e kontakteve me institucionet arsimore të angazhuara në trajnimin e stafit profesional.
7. Rrjetëzimi dhe Partneritetet
– Vendosja e kontakteve me organizata të ndryshme dhe kompani që operojnë në fushën e turizmit në dy vendet tona.”