Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Ambasadori Bardhyl Canaj mirëpriti sot, përfaqësuesit e shkollave të mesme nga Presheva dhe Bujanoci, përkatësisht: Shkolla e Mesme “Skënderbeu”, Shkolla e Mesme Teknike “Presheva” dhe Shkolla e Mesme “Sezai Surroi”.
Gjatë takimit u zhvillua një bashkëbisedim i hapur, konstruktiv dhe profesional, ku u shkëmbyen ide dhe perspektiva konkrete mbi forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe mbi mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit. Diskutimet theksuan rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për të rinjtë, rritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e urave të reja bashkëpunimi në shërbim të zhvillimit të komunitetit.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë mbetet e përkushtuar të qëndrojë pranë pakicës shqiptare, duke mbështetur iniciativa që fuqizojnë arsimin, dialogun dhe partneritetin afatgjatë.



