Më 22 dhe 23 shkurt 2025, në kuadër të edicionit të 14-të të “Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve Shqiptarë”, Lugina e Preshevës priti përfaqësues të mediave nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, të drejtuar nga Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa.
Ambasadori i RSH në Serbi, z. Bardhyl Canaj, shoqëroi shoqatën e gazetarëve të Shqipërisë në të gjitha aktivitetet e saj në Luginë. Autoritetet e Luginës së Preshevës shprehën mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre për praninë dhe mbështetjen e Ambasadorit Canaj, për shqiptarët e Luginës.
Unioni i Gazetarëve zhvilloi takime në Preshevë, me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, në Bujanoc me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, dhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi. Bashkëbisedimet u përqendruan në sfidat dhe perspektivat e informimit për çështjet e shqiptarëve të Luginës, në forcimin e bashkëpunimit mes mediave shqiptare në rajon, si dhe për mundësitë që po krijohen për një të ardhme më të mirë.
Zyrtarët e Luginës u shprehën mirënjohës për këtë vizitë të rëndësishme, për angazhimin e gjithanshëm dhe interesimin e jashtëzakonshëm të Unionit të Gazetarëve për çështjen e shqiptarëve në këtë trevë.
Në Preshevë u zhvillua forumi i titulluar “Turizmi dhe media”, gjatë të cilit u diskutua për potencialet dhe resurset turistike të Komunës së Preshevës, si dhe për hapësirën mediatike tek mediat shqiptare dhe kontributin e gazetarëve në shtjellimin e temave nga kjo anë. Për shtrirjen e mëtejshme të miqësisë mes gazetarëve u nda eksperienca e përbashkët mes gazetarëve shqiptarë të Shqipërisë dhe atyre të Luginës.
Gjatë qëndrimit në Luginë, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë zhvilloi vizita në muzetë e Preshevës dhe Bujanocit.


















