Nje mbrëmje plot interes me studentët shqiptarë në ambientet e Ambasadës e RSH në Bratislavë. Ambasadorja Mërkuri, duke uruar mirëseardhjen shprehu kënaqësinë e saj për rikthimin në traditën e bukur të mbledhjeve të rregullta në Përfaqësi, aq më tepër që ky takim përkon me fillimin e muajit Nëntor, duke hapur siparin e aktiviteteve të “Nëntorit Shqiptar”. Këtë herë përvec të rinjve që jetojnë e studiojnë në Sllovaki, merrnin pjesë edhe studentë shqiptarë që kanë përfituar nga program Erasmus, të nënshkruara së fundmi mes institucioneve akademike shqiptare me ato sllovake.
Mbrëmja zgjoi një interest ë vecantë me prezencën e Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës znj Anuela Ristani dhe ekipin që e shoqëroi atë në një vizite pune me homologë sllovakë, me qëllim shkëmbim eksperiencash dhe mundësi projektesh të përbashkëta. Shpallja e Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022 nga Forumi Rinor Europian ngjalli kureshtjen e të rinjve. Znj Ristani bëri një prezantim të detajuar të kësaj nisme rinore, që do të gjallërojë akoma më shumë Tiranën përmes aktiviteteve kulturore, artistike e sportive, duke përfshirë edhe të rinj nga e gjithë Europa. Studentët u njohën me vizionin bashkëkohor të Bashkisë Tiranë për transformimin e kryeqytetit dhe përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje për ndryshime thelbësore në interes të qytetarëve, transformimin e kampusit universitar në Tiranë, të asistencës financiare të Bashkisë për studentët e ekselencës etj. Ekipi i Bashkisë ndau ekperiencat personale dhe të ekipit të Bashkisë Tiranë, 80 përqind e të cilëve kanë kryer studime jashtë shtetit dhe janë kthyer në atdhe për të kontribuar me ide dhe dhe vizione të ndryshme transformuese.
Me këtë rast, ambasadorja Merkuri i dorëzoi profesorit të Universitetit të Nitras Artan Qineti, vlerësimin e Kryeministrit Edi Rama me çmimin “Ambasador i Kombit”, për kontributin e tij në promovimin e vlerave shqiptare dhe rolin aktiv në diasporë për rreth 3 dekada. Prof. Qineti shprehu mirënjohje për këtë vlerësim të autoriteteve të larta shqiptare, çka e angazhon atë për kontribut të mëtejshëm në drejtim të promovimit të imazhit të vendit, vlerave kombëtare edukative, kulturore dhe artistike të komunitetit shqiptar që jeton e punon në Sllovaki.