Në kuadër të aktiviteteve për “Ditët shqiptare në Bashkinë e Piestanit”, u realizua takimi mes z. Gjergj Goro, Kryetar i Bashkisë së Himarës dhe homologut sllovak z. Peter Jancovic, Kryetar i Bashkisë së Piestanit. Bashkëbisedimi u fokusua në mundësitë për bashkëpunime dypalëshe, duke shfrytëzuar potencialet ekonomike, sociale, turistike e kulturore të dy bashkive, inkurajimin e shkëmbimeve në të gjitha nivelet e sektorët, si dhe realzimin e një Marrëveshje Binjakëzimi mes tyre.
Si komponent i kësaj fushate promovuese të traditave kulturore e destincioneve turistike Shqipëria 2020, në Bashkinë e Piestanit. Galeria Fontana hapi dyert për ekspozitën e fotografit, piktorit, publicistit e kuratorit shqiptar, zotit Fate Velaj, i cili solli për publikun sllovak foto të vendlindjes së tij Vlorës, një prej qyteteve më tërheqëse turistike të Shqipërisë, me titull “Vlora – qyteti qe po zgjohet”.
Publiku sllovak që kishte tejmbushur sallën e Galerise, shprehu admirimin për këto foto, të realizuara me mjeshtëri, të cilat sjellin pamje të mrekullueshme të natyrës e bregdetit vlonjat, si dhe portrete te shumta bashkëpatriotësh; njerëz të thjeshtë e burra shteti, ku secili prej tyre përcjell një mesazh të të shkuarës apo të ardhmes.
Pjesëmarrja e personaliteteve, Kryetarëve të Bashkive të Himarës e Piestanit, ia shtuan bukurinë kësaj ekspozite të pasur dhe plot ngjyra. Kryebashkiaku Jancovic, shprehu dëshirën që “Ditët Shqiptare në Peistan”, të bëhen pjesë e agjendës kulturore të këtij qyteti turistik, duke kontribuar kështu në ndërthurjen me vlerat e shpirtit e kulturës sllovake.
Në përshëndetjen e saj për të pranishmit, Ambasadorja Mërkuri vlerësoi mikëpritjen e Bashkisë së Piestanit dhe personalisht të Kryetarit Peter Jancovic, dhe drejtuesit të Galerisë Fontana, Martin Vallo, si një shenjë respekti ndaj vlerave unikale të kulturës sonë kombëtare, e njëherësh ndaj identitetit kombëtar dhe përkatësisë sonë evropiane. Ajo shprehu dëshirën që 60 fotot e eskpozuara të provokojnë interesin e nxisin dëshirën e publikut sllovak, për të ndërmarrë një udhëtim të gjatë deri në vendlindjen e Fates, në Vloren e tij të dashur, ku do mund të shijojnë peisazhet e papërsëritshme të këtij qyteti të mrekullueshëm e me njerëz të dashur!
Newsroom
Ditët e Kulturës Shqiptare në Peistan