Me rastin e Festës së Pavarësisë Ambasada Shqiptare në Sllovaki ka hapur Ekspozitën “NGJYRAT E SHQIPERISE”, në hyrje të qytetit të vjetër, në ambientet e jashtme të hotel Park Inn by Radisson, dt 28-29 Nëntor 2020.
Në këte ditë historike dhe përbashkuese të kombit shqiptar përkujtojmë me nderim të vecantë themeluesit e shtetit, krijimtarët e aktit të shpalljes së pavarësisë, të cilët me përkushtimin e tyre ndaj atdheut dhe mbrojtjes së vlerave të civilizimit perëndimor, bënë të mundur të shpëtonin Shqipërinë e shqiptarët nga shpërbërja dhe humbja. Nderim për gjithë ato breza që në vite kontribuan për forcimin e lartësimin e shtetit shqiptar, për përparimin, begatinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij!
Ky përvjetor i 108 na gjen sivjet të distancuar fizikisht për shkak të pandemisë. Por 28 nëntori bashkon me simbolikën e tij shqiptarët kudo që ata ndodhen sot në botë. Në këtë ditë na bashkohen edhe shumë miq sllovakë, dashamirës të Shqipërisë e shqiptarëve, të cilët me mbështetjen dhe përpjekje konkrete kanë kontribuar në ndërtimin e urave të komunikimit e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Sllovakisë, duke i sjellë më pranë dy vendet e popujt tanë.
Megjithë sfidat e jashtëzakonshme që u përball vendi ynë pas tërmetit të vitit të kaluar dhe përkeqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë pandemisë, 2020 shënon vitin e paharrueshëm të rindërtimit të vendit, si dhe të kryesisë të suksesshme të OSBE-së nga Shqipëria, ku bashkëpunimi dypalësh Shqiptaro-Sllovak u pasurua me një dimension tjetër atë shumëpalësh, si vende kryesuese e anëtare të Trojkës së kësaj organizate.
Shqipëria është aktualisht në një fazë finale të procesit të saj integrues, atë të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, në funksion të objektivit të saj strategjik, anëtarësimit në familjen evropiane. Theksoj se në këtë rrugëtim disa vjecar, Shqipëria krahas vendeve të tjera mike, ka pasur në mënyrë të vazhdueshme dhe konkrete edhe mbështetjen e Sllovakisë. Gjej rastin të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen për qeverinë Sllovake që iu bashkua donacioneve të miqve dhe partnerëve të tjerë evropianë për rindërtimin e vendit, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të 2019; “Miku në ditë të vështira është mik i vërtëtë”.
Në këtë frymë miqësore bashkëpunimi dy e shumëpalësh ka akoma shumë hapësira të reja për tu shfrytëzuar në të ardhmen, cka rrit përgjegjësinë dhe angazhimin tonë për të konkretizuar e realizuar në përfundim të pandemisë, projekte dhe inisiativa të tjera në dobi të zhvillimit e përparimit të të dy vendeve tona.
Gëzuar 108 vjetorin e pavarësisë!
Gëzuar ditën e Clirimit të Shqipërisë!