Ambasada e RSH në Bratislavë në bashkëpunim me Federatën Universale të Paqes për Sllovakinë (UPF) organizuan në ambjentet e kësaj të fundit Aktivitetin „Mbrëmja e Kulturës Shqiptare“, aktivitet në të cilin morën pjesë Ambasadorë, diplomatë, Antarë të Parlamentit, veprimtarë të Federatës së Paqes dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Sllovaki. Ambasadori Z. Arten Hanku në fjalën e tij përshëndetëse bëri një prezantim të përmbledhur të historisë së Shqipërisë, ecurisë së saj të integrimit në NATO dhe BE, vlerave të artit, kulturës, si dhe zhvillimit të turizmit shqiptar në vitet e fundit. Më pas me anë të kolazhit të videove të pranishmit u njohën me historinë, bukuritë e vendit tonë, vlerat e folkut shqiptar, larminë e kostumeve, këngëve popullore të veriut, ato polifonike, si dhe mozaikun e valleve të trevave të ndryshme të Shqipërisë. Programi ishte gërshetuar gjithashtu edhe me interpretimin profesionist të pjesëve shqiptare dhe atyre të huaja nga ana e violinistes shqiptare Eni Maqellari. Më pas gjatë koktejit të pranishmit patën mundësinë e shijimit të specialiteteve të kuzhinës shqiptare.